KEDS: Ekipet janë në terren, po punohet për rikthimin e rrymës pas dëmeve nga erërat

13.11.2026

KEDS ka bërë të ditur se të gjitha ekipet e intervenimit dhe mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike për konsumatorët që kanë mbetur pa furnizim, pas dëmeve të shkaktuara nga erërat e forta.

Në një përgjigje për Suhareka Online, KEDS ka njoftuar se kushtet e vështira atmosferike kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën energjetike në disa lokacione.

Sipas kompanisë, ekipet do të vazhdojnë të jenë në terren gjatë 24 orëve të ardhshme, duke punuar me intensitet të shtuar për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

KEDS njëkohësisht ka apeluar te qytetarët që, në rast se vërejnë dëmtime në rrjetin elektrik, të mos afrohen pranë tyre dhe të shmangin kalimin afër linjave elektrike, për shkak të rrezikut për sigurinë e tyre.

Suhareka Online do të vazhdojë t’ju informojë për zhvillimet lidhur me rikthimin e energjisë elektrike në fshatrat e Suharekës.