Çmimi i naftës bie në Kosovë, nga 1.83 në 1.79 euro për litër

51 min

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar inspektimet në tregun e derivateve të naftës, pas rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), MINTI po monitoron vazhdimisht çmimet e derivateve në tregun vendor, me qëllim që ndryshimet në tregjet globale të reflektohen edhe në Kosovë.

Sipas MINTI-t, nga inspektimet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka filluar të reflektohet edhe në tregun e Kosovës.

Gjatë 24 orëve të fundit, çmimi mesatar i naftës ka rënë nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi mesatar i benzinës ka arritur në 1.43 euro për litër.

MINTI bën të ditur se për monitorimin e çmimeve bashkëpunon vazhdimisht me Doganën e Kosovës, nga e cila pranon informacione ditore për çmimet e importit të derivateve.

Ministria ka theksuar se inspektimet dhe monitorimi i tregut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin që ndryshimet në çmimet e furnizimit të reflektohen në mënyrë të drejtë dhe në kohë te konsumatorët.