Dhjetë vjet nga vdekja e Astrit Deharit
Me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me familjen Dehari, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministrin Glauk Konjufca, ministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule te varri i tij.
Pas homazheve, përfaqësuesit institucionalë kanë kujtuar Astrit Deharin dhe kanë përsëritur kërkesën për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij dhe vënien e drejtësisë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se dhjetë vjet pa Astritin janë shumë për familjen e tij, bashkaktivistët dhe gjithë ata që e kanë njohur, por edhe për Republikën e Kosovës, pasi ende mungojnë e vërteta dhe drejtësia për rastin e tij.Kurti theksoi se, edhe pas një dekade, nuk dihet kush është përgjegjës për vdekjen e Astrit Deharit, ndërsa gjatë trajtimit të rastit janë ndërruar pesë prokurorë. Ai kritikoi institucionet e atëhershme të sigurisë dhe drejtësisë për deklaratat e dhëna para përfundimit të hetimeve.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e kujtoi Deharin si aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje dhe student shembullor të mjekësisë, duke e cilësuar si të ri të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror.
Ajo tha se, dhjetë vjet pas vdekjes së tij në burgun e Prizrenit, familja Dehari dhe qytetarët e Kosovës vazhdojnë të presin drejtësi.Ndërkaq, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca deklaroi se asnjë vonesë nuk do t’i bëjë të heqin dorë nga kërkesa për zbardhjen e rastit.
Ai theksoi se përgjegjësia për mbrojtjen e jetës së Deharit rëndon mbi autoritetet që kishin për detyrë ta garantonin sigurinë e tij, ndërsa moszbardhja e rastit, sipas tij, vazhdon të cenojë besimin në drejtësi.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, rrethanat e rastit dhe kërkesa e familjes për drejtësi vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes.
