40 persona arrestohen brenda 24 orëve në Kosovë, 24 dërgohen në mbajtje

1 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar raste të shumta kriminale në rajone të ndryshme të vendit, përfshirë dhunë në familje, grabitje, kanosje, vjedhje, lëndime trupore dhe posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve.

Sipas raportit policor, në Prishtinë janë raportuar disa raste, ndër të cilat grabitje me thikë në Podujevë, kanosje me thikë ndaj një gruaje, ngacmim seksual në Fushë Kosovë, si dhe raste të dhunës në familje në Prishtinë dhe Lipjan.

Raste të dhunës në familje dhe kanosjeve janë raportuar edhe në Pejë, Klinë, Gjakovë, Malishevë dhe Vushtrri. Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut janë arrestuar pesë persona pas një përleshjeje fizike, ku të gjithë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Policia ka raportuar gjithashtu për raste të armëmbajtjes pa leje, posedimit të narkotikëve, vjedhjeve dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Në Zubin Potok është raportuar vjedhja e një dashi nga një stallë, ndërsa në Skenderaj është raportuar një rast i përfshirjes së një shtëpie nga zjarri.

Sipas statistikave të përgjithshme të Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar:

40 persona të arrestuar;

24 persona të dërguar në mbajtje;

1 person në vuajtje të dënimit;

24 aksidente trafiku me të lënduar;37 aksidente me dëme materiale;

1,902 tiketa trafiku të shqiptuara.

Policia ka bërë të ditur se rastet përkatëse janë duke u trajtuar në procedura hetimore dhe në koordinim me prokuroritë kompetente.