Arrestohet një kosovar i kërkuar nga INTERPOL-i, dyshohet për vjedhje në Luksemburg
Policia e Kosovës ka arrestuar sot një shtetas kosovar, i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Luksemburgut.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi i të dyshuarit me inicialet D.A. është realizuar më 30 tetor 2026, rreth orës 16:30, nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera policore dhe institucionet përkatëse.
I njëjti kërkohej nga autoritetet e Luksemburgut për veprën penale “Vjedhje”, të sanksionuar sipas Kodit Penal të këtij shteti.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa pritet të vazhdojnë procedurat e tjera ligjore.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar për vepra penale.
