Kosova synon zgjerimin e bashkëpunimit me Austrinë, Kusari-Lila: Nga tregtimi drejt prodhimit të produkteve austriake

17 orë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, George Schnetzer, kanë shënuar fillimin e Javës së Produkteve Austriake në rrjetet tregtare SPAR Kosova dhe Meridian.

Kjo nismë, e cila organizohet për herë të gjashtë në Kosovë me mbështetjen e REFOCUS AUSTRIA, synon promovimin e produkteve austriake dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë vizitës, Kusari-Lila dhe Schnetzer u pritën nga drejtori ekzekutiv i SPAR Kosova, Agon Gashi, dhe delegati ekonomik i Austrisë, Wilhelm Nest, me të cilët diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit tregtar dhe investimeve.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se synimi është që bashkëpunimi ekonomik të avancojë përtej tregtimit të produkteve austriake, duke krijuar kushte që Kosova në të ardhmen të bëhet edhe vend i prodhimit të tyre.

Java e Produkteve Austriake synon gjithashtu afrimin e bizneseve me konsumatorët dhe hapjen e mundësive të reja për partneritete ekonomike, duke kontribuar në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.