Operacioni “Shtalla” në Suharekë,arrestohen dy persona të dyshuar për kultivim të kanabisit
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në fshatin Maqitevë të Suharekës, në kuadër të operacionit të koduar “Shtalla”, që lidhet me dyshimet për kultivim të paautorizuar të bimëve narkotike dhe posedim të armëve.
Aksioni është zhvilluar më 26 tetor 2026, rreth orës 06:20, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren, me asistimin e Njësisë Speciale Operative dhe forenzikës.
Të arrestuarit janë M.A., rreth 44 vjeç, dhe B.A., rreth 19 vjeç, ndërsa personi i tretë i dyshuar në këtë rast, F.N., rreth 47 vjeç, ndodhet në paraburgim që nga vetëdorëzimi i tij në Polici më 27 mars 2026.
Gjatë operacionit, hetuesit kanë realizuar bastisje në shtëpitë, objektet përcjellëse dhe automjetet e të dyshuarve, në bazë të urdhërkontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Si rezultat i kontrolleve, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmautomatike, e njohur si “dhjetëshe”, së bashku me shtatë fishekë.
Dy të arrestuarit janë shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.Rasti “Shtalla”, i cili daton nga 16 shtatori 2025, po hetohet për veprat penale që lidhen me kultivimin e paautorizuar të kanabisit dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.
Hetimet nga njësia kompetente në Prizren janë duke vazhduar.
