DKA në Suharekë dhe Instituti Pedagogjik i Kosovës diskutojnë për përmirësimin e cilësisë në shkolla
Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Suharekë, në bashkëpunim me Institutin Pedagogjik të Kosovës (IPK), ka organizuar të hënën, më 26 tetor 2026, një tryezë diskutimi me temën “Avancimi i performancës së shkollës bazuar në dëshmi: përvoja dhe praktika”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të DKA-së, drejtorë shkollash, psikologë, pedagogë, mësimdhënës dhe koordinatorë të cilësisë, të cilët diskutuan për sfidat dhe mundësitë e përmirësimit të cilësisë së arsimit në shkollat e komunës së Suharekës.
Qëllimi kryesor i tryezës ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore, me fokus në përmirësimin e performancës së shkollave, zhvillimin e aftësive të nxënësve në lexim-kuptim dhe shkrim-lexim, si dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit arsimor.
Gjatë diskutimeve u trajtuan strategjitë dhe metodat e mësimdhënies, nevojat për zhvillim profesional, krijimi i rrjeteve bashkëpunuese ndërmjet DKA-së dhe shkollave, si dhe mundësitë për zgjerimin e mbështetjes profesionale nga Instituti Pedagogjik i Kosovës.
Pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira, duke theksuar rëndësinë e identifikimit të nevojave konkrete të shkollave dhe marrjes së vendimeve bazuar në dëshmi.
Drejtori i DKA-së në Suharekë, gjatë fjalës së tij, theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe zhvillimi profesional janë ndër faktorët kryesorë për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsim.
Nga DKA u ritheksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit me Institutin Pedagogjik të Kosovës dhe institucionet arsimore, me synim avancimin e cilësisë së mësimdhënies dhe përmirësimin e rezultateve të nxënësve.
