Mbi 80% e kosovarëve që morën leje qëndrimi në Zvicër gjatë vitit 2025, i siguruan ato përmes bashkimit familjar
Bashkimi familjar vazhdon të mbetet rruga kryesore për emigrimin e shtetasve të Kosovës drejt Zvicrës, ndërsa mundësitë për të siguruar leje qëndrimi përmes punësimit mbeten të kufizuara.
Sipas statistikave zyrtare të Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM), gjatë vitit 2025, gjithsej 1,538 shtetas të Kosovës kanë fituar leje qëndrimi afatgjatë në Zvicër përmes bashkimit familjar, duke përbërë 81.9% të totalit të kosovarëve të pranuar.
Kjo përqindje është dukshëm më e lartë krahasuar me mesataren e përgjithshme të emigracionit në Zvicër, ku bashkimi familjar përbën vetëm 25.5% të pranimeve në popullsinë e përhershme rezidente.
Ndërkohë, vetëm 339 shtetas të Kosovës kanë siguruar leje qëndrimi përmes kategorive të tjera, përfshirë punësimin, arsimin dhe arsyet humanitare.
Sipas të dhënave, rreth 7% e pranimeve lidhen me punësimin, 5% me arsimin dhe trajnimin, ndërsa afërsisht 6% përfshijnë kategori të tjera të qëndrimit.
Qasja në tregun zviceran të punës mbetet sfiduese për shtetasit kosovarë, pasi Kosova klasifikohet si vend i tretë dhe qytetarët e saj u nënshtrohen kuotave vjetore dhe kritereve të rrepta për punësim.
Këto statistika dëshmojnë se lidhjet familjare vazhdojnë të jenë faktori dominues i emigrimit të kosovarëve drejt Zvicrës, shumë më tepër sesa mundësitë e drejtpërdrejta për punësim.
