Sonte nis llogaritja dimërore e kohës
Gjatë natës së sotme, mes të shtunës (24 tetor) dhe të dielës (25 tetor), përfundon zyrtarisht ora verore dhe fillon zbatimi i orës dimërore.
Në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat do të kthehen një orë pas, përkatësisht në 02:00. Kjo do të thotë se qytetarët do të kenë mundësi të flenë një orë më shumë.
Ndryshimi i orës do të bëhet automatikisht në shumicën e telefonave inteligjentë, kompjuterëve dhe pajisjeve elektronike të lidhura me internetin, ndërsa orët tradicionale duhet të rregullohen manualisht.
Ky ndryshim zbatohet edhe në Kosovë, në përputhje me praktikën e vendeve evropiane, ku ora verore fillon të dielën e fundit të marsit dhe përfundon të dielën e fundit të tetorit.
Megjithëse Bashkimi Evropian ka diskutuar prej vitesh mundësinë e heqjes së ndryshimit sezonal të orës, ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare mes shteteve anëtare.
