Qytetari ankohet për presion të lartë të ujit në rrugën “Ken Halimi” në Suharekë, raporton për dëmtime të gypave

3 orë

Një qytetar nga lagjja “Xhemajli Kryeziu”, përkatësisht rruga “Ken Halimi” në Suharekë, ka ngritur shqetësimin për presionin e lartë të ujit në rrjetin e ujësjellësit, i cili, sipas tij, ka shkaktuar dëmtime të gypave dhe probleme në furnizimin me ujë.

Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar, që nga e shtuna është detyruar ta ndërpresë furnizimin nga rrjeti i ujësjellësit dhe të përdorë hidroforin për nevojat familjare.

Ai thotë se, duke qenë vetë instalues me profesion, ka ndërhyrë për të parandaluar dëme të mëtejshme, duke riparuar me mjete personale financiare dëmet e shkaktuara.

Po ashtu, qytetari pretendon se problemi ka prekur edhe pjesën tjetër të lagjes, ndërsa rreth orës 22:30 është detyruar t’i mbyllë ventilat e ujit.

Sipas tij, deri në momentin e raportimit nuk ka marrë ndonjë konfirmim nga ujësjellësi në Suharekë lidhur me sanimin e defektit.

Përmes SuharekaOnline, ai u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë në rrugën “Ken Halimi”, numër 6, në lagjen “Xhemajli Kryeziu”, për të kontrolluar presionin e ujit dhe për të parandaluar dëmtime të tjera në rrjet dhe në pronat e qytetarëve.