Policia forcon masat e sigurisë në Kosovë para verdiktit të Hagës më 16 shtator
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në prag të zhvillimeve të parapara për 16 shtator, ditë kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas Policisë, masat janë ndërmarrë me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe sigurimit të mbarëvajtjes së aktiviteteve dhe tubimeve të mundshme.
Në kuadër të përgatitjeve, sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës është mbajtur një takim koordinues me drejtues të departamenteve dhe drejtorive rajonale, ndërsa në takim kanë marrë pjesë edhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Zyrës së BE-së dhe OSBE-së.
Policia njofton se, varësisht nga aktivitetet që mund të zhvillohen më 16 shtator, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura. Për këtë arsye, janë paraparë edhe angazhime të njësive të trafikut për riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative.
PK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitetet e mundshme që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë që zhvillimet të kalojnë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Policia thekson se planifikimi dhe zbatimi i masave të sigurisë në raste të aktiviteteve apo tubimeve me pjesëmarrje të madhe janë pjesë e procedurave të rregullta policore.
“Siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media, duke shtuar se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
