Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor nga Gjykata për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21 mars 2018.
Gjykata e ka rikualifikuar veprën penale nga paragrafi 2 në paragrafin 1, ndërsa ka refuzuar akuzën për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, pasi për këtë vepër ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.
Vendimi për dënimin e Sveçlës nuk është shpallur ende. Gjykatësi Sabit Sadikaj bëri të ditur se seanca për paraqitjen e rrethanave lehtësuese dhe rënduese do të mbahet më 8 shtator 2026, pas së cilës pritet të shpallet dënimi.
Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, ndërsa u përfaqësua nga avokati i tij, Laur Prenaj.
Rasti lidhet me protestën e deputetëve të atëhershëm të Vetëvendosjes kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Në deklarimin e tij të mëparshëm, Sveçla kishte thënë se veprimi ishte politik dhe se nuk e ndiente veten fajtor.
Përveç Sveçlës, në aktakuzën e ngritur në vitin 2019 ishin përfshirë edhe ish-deputetët Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba. Gjykata ka vendosur që procedura ndaj Sveçlës të ndahet nga ajo ndaj të pandehurve të tjerë.
