Raportohet nga qytetarët, shoferi kapet me 155 km/h në rrugën Sopijë–Savrovë
Një shofer është gjobitur pasi është kapur duke lëvizur me 155 km/h në një zonë ku shpejtësia e lejuar është 50 km/h, në rrugën Sopijë–Savrovë të Suharekës.
Rasti është evidentuar pas një raportimi të bërë nga qytetarët përmes aplikacionit mobil “Lajmëro Policinë”. Raportimi është pranuar më 27 gusht nga Stacioni Policor në Suharekë, ndërsa më 28 gusht është identifikuar kundërvajtësi.
Për shkeljen e rregullave të trafikut, shoferit i është shqiptuar 500 euro gjobë, 5 pikë negative dhe 12 muaj ndalim i drejtimit të automjetit.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin shpejtësinë e lartë dhe sjelljet e rrezikshme, me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
