Institucionet e arsimit nënshkruajnë “Zotimin për Arsimin 2035+”, synohet strategji e re 10-vjeçare
Me ftesë të ministrit në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, është zhvilluar sot takimi i parë në një format të përbashkët, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike qendrore dhe lokale, institucioneve shkollore, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe studentëve.
Në takim u diskutua për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe për procesin e hartimit të Strategjisë së re Shtetërore të Arsimit 2035+.
Pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht formatin e takimit dhe qasjen bashkëpunuese, duke u dakorduar që takime të tilla të zhvillohen në mënyrë të rregullt.
Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e arsimit për zhvillimin e vendit dhe nevoja për bashkëpunim të gjerë institucional e shoqëror në hartimin dhe zbatimin e reformave që synojnë rritjen e cilësisë në arsim.
Në kuadër të takimit, përfaqësuesit nënshkruan “Zotimin për Arsimin 2035+”, përmes të cilit u shpreh angazhimi për një proces të përbashkët të hartimit të strategjisë së re dhe zbatimin e saj përtej mandateve qeverisëse.
Në deklaratë theksohet se arsimi është projekti më i rëndësishëm zhvillimor i Kosovës dhe se kërkon bashkëpunim përtej dallimeve institucionale, politike dhe shoqërore.
Nënshkruesit u zotuan gjithashtu për reforma që garantojnë arsim cilësor, mundësi të barabarta për çdo fëmijë dhe lidhje më të fortë të arsimit me zhvillimin e Kosovës.
Në këtë partneritet synohet të përfshihen edhe sektorët e tjerë publikë, forcat politike, sektori privat, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe partnerët zhvillimorë.
Deklaratën e nënshkruan Hajrulla Çeku, Muhamet Gjoka, Rrahman Jashari, Mentor Alishani, Linda Dula Halilabazi, Merita Dili Hasani, Donart Humolli dhe Kaon Krasniqi.
