Prokuroria konfirmon tragjedinë në Malishevë: Gruaja vdes, burri dyshohet për rastin

24.08.2026

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Komunës së Malishevës, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar në rast, ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, gruaja, e cila ishte bashkëshortja e të dyshuarit, është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Edhe i dyshuari ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit nga QKUK, gjendja e tij është e rëndë dhe kritike për jetën.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar provat relevante.