Izraeli refuzon planin amerikan për Gazën, Netanyahu: Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht

09.08.2026

Izraeli ka refuzuar planin e fundit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për avancimin drejt fazës së ardhshme të marrëveshjes së paqes në Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të dielën se Izraeli nuk do të tërheqë forcat e tij nga Gaza pa u realizuar çarmatimi i plotë i Hamasit.

“Ne e hedhim poshtë dokumentin me 15 pika”, tha Netanyahu gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar.

Ai theksoi se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në pozicionet e saj derisa, sipas tij, Hamasi të çarmatoset në mënyrë reale.

“Kur themi çarmatosjen e Hamasit, nënkuptojmë të gjitha armët – të rënda dhe të lehta. Po flasim për çarmatim të vërtetë, jo për një çarmatim fiktiv”, u shpreh Netanyahu.

Kryeministri izraelit tha se çështja është duke u diskutuar me administratën amerikane, duke shtuar se disa prej ideve të propozuara nga SHBA-ja janë të pranueshme për Izraelin, ndërsa të tjera jo.

Netanyahu përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij kundër krijimit të një shteti palestinez, duke deklaruar se një shtet i tillë nuk do të krijohet “për sa kohë që ai është kryeministër”, as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor.

Në fund të korrikut, presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar një plan që synon çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, në kuadër të përpjekjeve për të avancuar marrëveshjen e armëpushimit.

Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar se do ta pranonte marrëveshjen vetëm nëse Izraeli ndalon sulmet në Gaza dhe tërheq forcat e tij deri te “vija e verdhë”, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.

Forcat izraelite aktualisht kontrollojnë më shumë se gjysmën e territorit të Gazës, kryesisht në pjesët lindore dhe jugore.