LDK thërret Kuvendin e Jashtëzakonshëm, mbahet më 30 korrik
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se Kryetari i partisë ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pas përfundimit të procedurave statutare për verifikimin e kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit.
Sipas njoftimit të LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm ka verifikuar të gjitha nënshkrimet e dorëzuara dhe ka konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës së delegatëve, i nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
Kuvendi do të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, duke filluar nga ora 18:00. Vendi i mbajtjes dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikohen delegatëve në përputhje me procedurat statutare.
LDK ka theksuar se procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë, parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve.
