Katër armë zjarri të sekuestruara në Prizren dhe Suharekë, tre persona ndalohen
Policia e Kosovës në Rajonin e Prizrenit ka sekuestruar katër armë zjarri gjatë javës së fundit, në kuadër të disa operacioneve të realizuara në raste të ndara në Prizren dhe Suharekë.
Sipas Policisë, në katër raste të ndryshme janë konfiskuar tri pistoleta dhe një armë automatike AK-47, duke parandaluar rrezikun e incidenteve të mundshme dhe duke rritur sigurinë publike.
Në dy prej rasteve, armët janë sekuestruar pas informacioneve të pranuara nga qytetarë anonimë, të cilët kishin raportuar për të shtëna me armë zjarri gjatë gazmendeve familjare.
Lidhur me rastet, në tre prej katër procedimeve, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit. Ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e vendosur në luftimin e armëmbajtjes pa leje dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos përdorin armë zjarri në ahengje apo festa familjare, duke theksuar se veprime të tilla rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe do të trajtohen me seriozitet nga organet e rendit.
