Dogana në Merdarë zbulon 23,500 euro të padeklaruara gjatë kontrollit kufitar
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka zbuluar një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar në dalje të Pikës Kufitare në Merdarë.
Sipas autoriteteve, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll në bazë të analizës së riskut. Pas intervistimit fillestar, udhëtari u referua për kontroll të dytë, ku u gjetën mjete monetare të fshehura në dy vende të ndryshme të automjetit.
Në total u evidentuan 23,500 euro, prej të cilave 10,000 euro ishin në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro ishin fshehur në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit.
Personi kishte paraqitur dokumentacion që lidhej me prejardhjen e mjeteve monetare, përfshirë një kontratë noteriale dhe një dëshmi bankare. Megjithatë, për shkak të mosdeklarimit të shumës sipas obligimeve ligjore, rasti u trajtua nga hetimet doganore.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, autoritetet kanë aplikuar masat përkatëse, duke ndaluar një pjesë të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër i është kthyer poseduesit.
Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që kalon kufirin me 10,000 euro ose më shumë është i obliguar t’i deklarojë ato, përndryshe përballet me masa ligjore, përfshirë ndalimin ose konfiskimin e pjesshëm të mjeteve monetare.
Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vazhdojnë në të gjitha pikat kufitare, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe forcimin e sigurisë financiare në vend.
