Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim me tenderë në Suharekë, dyshohen për dëmtim të buxhetit komunal
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave: D.M., A.K., E.SH., I.H., XH.K. dhe A.S., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas Prokurorisë, D.M. dhe A.K., në cilësinë e zyrtarëve komunalë, dyshohet se kanë miratuar punime dhe pagesa për ndërtimin e disa rrugëve lokale në fshatin Javor, edhe pse njëra prej tyre nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, operatorit ekonomik dyshohet se i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 9,050 eurosh, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.
Po ashtu, E.SH. dhe I.H. akuzohen se kanë aprovuar pagesa për projekte të tjera rrugore në Javor dhe Luzhnicë, ndonëse sipas aktakuzës, dy nga rrugët nuk ishin realizuar. Prokuroria pretendon se në këtë rast operatori ekonomik ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 6,439.82 euro.
Ndërkohë, XH.K. dhe A.S., si përfaqësues të operatorëve ekonomikë, akuzohen se kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin kryer plotësisht, duke përfituar mjete publike dhe duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.
Prokuroria ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ndaj zyrtarëve të shqiptohet masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik.
