Publikohen pikët e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, Gashi në krye të listës

01.07.2026

Paneli Vlerësues i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka publikuar rezultatet e intervistimit të pesë kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas rezultateve të publikuara, kandidati me më së shumti pikë është Zejnullah Gashi, i cili ka marrë 91.6 pikë. Pas tij renditen Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu me 86.5 pikë.

Bazuar në këto rezultate, të pesë kandidatët janë propozuar për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili do të vendosë për kandidatin që do të procedohet për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në garë për këtë pozitë ishin prokurorë nga Prokuroria Speciale, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Procesi i intervistimit u zhvillua nën monitorimin e përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa KPK-ja ka deklaruar se procedura është zhvilluar duke u bazuar në parimet e transparencës, objektivitetit dhe meritokracisë./BetimiPërDrejtësi/

Foto:KosovaPress