Bastisje në mbi 40 lokacione, aksioni i Prokurorisë Speciale shtrihet edhe në Suharekë
Një aksion i gjerë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është zhvilluar mëngjesin e së mërkurës në mbi 40 lokacione në mbarë vendin, përfshirë edhe Suharekën, në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar të kontrabandës me derivate, shmangies së tatimeve dhe shpëlarjes së parave.
Sipas burimeve, gjatë operacionit janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar para të gatshme, dokumentacione të ndryshme, kompjuterë dhe cisterna që dyshohet se janë përdorur në aktivitetin kriminal.
Në aksion po marrin pjesë Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës, njësitë e hetimeve tatimore të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe hetuesit e Doganës së Kosovës.
Hetimet dyshohet se lidhen me një skemë, përmes së cilës nafta teknike importohej nga kompani në Kosovë, kalonte transit në Shqipëri, ku shitej në tregun e zi, ndërsa automjetet ktheheshin në Kosovë me ngarkesa fiktive, duke shmangur detyrimet tatimore dhe duke siguruar përfitime të paligjshme.
Sipas informacioneve të deritanishme, bastisje janë zhvilluar edhe në Suharekë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende numrin e saktë të të arrestuarve apo identitetin e të dyshuarve. Prokuroria Speciale pritet të publikojë detaje shtesë pas përfundimit të operacionit.
