LDK mbledh strukturat, rikonfirmon besimin te udhëheqja dhe kërkon analizë pas zgjedhjeve
Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është mbledhur sot në selinë qendrore të partisë, ku ka diskutuar zhvillimet politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve dhe angazhimin e subjektit politik në periudhën e ardhshme.
Në deklaratën e publikuar pas takimit, LDK ka vlerësuar punën e strukturave të saj gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se partia ka shënuar rritje të mbështetjes qytetare krahasuar me zgjedhjet paraprake. Megjithatë, Kolegjiumi ka kërkuar një analizë të plotë të rezultatit për të identifikuar mundësitë për përmirësim të organizimit dhe veprimit politik.
Anëtarët e Kolegjiumit kanë rikonfirmuar mbështetjen për kryetarin dhe Kryesinë e LDK-së, duke theksuar se udhëheqja e partisë do të vazhdojë angazhimin për stabilitet institucional dhe përfaqësimin e politikave të LDK-së në institucionet e vendit.
LDK ka bërë të ditur se çështjet e organizimit të brendshëm do të trajtohen në përputhje me Statutin e partisë, ndërsa zgjedhjet e rregullta për strukturat drejtuese janë planifikuar të mbahen gjatë vitit 2027.
Në fund, Kolegjiumi ka ftuar strukturat dhe anëtarësinë e LDK-së që të fokusohen në forcimin e partisë, ruajtjen e unitetit dhe përmbushjen e përgjegjësive ndaj qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.
