Apeli prish vendimin që i lejonte nënës ta merrte vajzën jashtë Kosovës, kërkohen vlerësime të reja profesionale

25.06.2026

Gjykata e Apelit e Kosovës ka prishur pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren – Dega në Suharekë, duke e kthyer në rigjykim çështjen që kishte të bënte me lejimin e udhëtimit të një vajze të mitur jashtë Kosovës me nënën e saj.

Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm për të dëshmuar se largimi i fëmijës jashtë vendit është në interesin e saj më të mirë. Sipas vendimit, nuk mjafton vetëm fakti që kujdestaria i është besuar nënës, por duhet të shqyrtohen edhe faktorë të tjerë si mirëqenia, siguria, stabiliteti emocional, shkollimi dhe ruajtja e marrëdhënieve me prindin tjetër.

Për këtë arsye, Gjykata e Apelit ka urdhëruar që në procedurën e përsëritur të sigurohen vlerësime shtesë nga Qendra për Punë Sociale dhe ekspertizë profesionale nga psikologu, para se të merret një vendim i ri për kërkesën e nënës që të udhëtojë jashtë Kosovës me vajzën e saj.