Hapet Shkolla Shqipe “URA” në Esslingen, një urë e re për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar
Një lajm i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Esslingen të Gjermanisë: është hapur zyrtarisht Shkolla Shqipe “URA”, e cila do t’u mundësojë fëmijëve shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe, historinë, kulturën dhe traditat kombëtare.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë prindër, nxënës dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar. Udhëheqësi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart, z. Hamdi Bërbatovci, vlerësoi angazhimin e komunitetit dhe të prindërve për këtë nismë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare si një element themelor i identitetit shqiptar në diasporë.
Mësimi plotësues i gjuhës shqipe do të zhvillohet në ambientet e shkollës lokale në Esslingen, ndërsa procesi edukativ do të udhëhiqet nga mësuesja Fortesa Lleshi Ferizi, me mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit shqiptar.
Në kuadër të mbështetjes për këtë iniciativë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka siguruar dhe shpërndarë abetare dhe materiale mësimore për nxënësit, duke ndihmuar në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe.
Organizatorët shprehën mirënjohje për të gjithë kontribuuesit, veçanërisht për mësuesen Fortesa Lleshi Ferizi, Ard Ajdinin, prindërit dhe të gjithë anëtarët e komunitetit që ndihmuan në realizimin e kësaj nisme.
Familjet shqiptare në Esslingen dhe rrethinë janë ftuar që t’i regjistrojnë fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe të bëhen pjesë e kësaj shkolle, e cila synon të forcojë lidhjen e brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
