Molliqaj kritikon LDK-në: “Po dëshmon se është parti pa ide dhe pa përkushtim politik”

24.06.2026

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Molliqaj ka kritikuar qasjen e LDK-së, duke thënë se kjo parti, sipas tij, po e konfirmon vazhdimisht mungesën e ideve dhe të angazhimit politik.

“LDK po e konfirmon çdo ditë që është parti pa ide e pa përkushtim politik. Ajo tani udhëhiqet nga grupe interesi e individë që luftojnë vetëm për poste e rehati të veten”, ka deklaruar Molliqaj.

Ai ka shtuar se mungesa e një opozite të fuqishme po e dëmton skenën politike në vend.“Me subjekte të tilla, Kosova ka mbetur pa opozitë”, ka shkruar kreu i PSD-së.

Deklaratat e Molliqajt vijnë pas zhvillimeve të fundit politike dhe diskutimeve për mundësinë e bashkëpunimeve ndërmjet partive për çështjet institucionale.