Haziri tërhiqet nga deklaratat për Presidentin: LDK-ja mbetet me kandidaturën e Vjosa Osmanit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas deklaratave të tij për mundësinë e një kandidature tjetër për postin e presidentit, duke sqaruar se qëndrimi zyrtar i partisë nuk ka ndryshuar.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka bërë të ditur se nominimi i Vjosa Osmani mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së për pozitën e presidentit.
“Asgjë s’ka ndryshuar. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së”, ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se gjatë debatit paszgjedhor ka paraqitur në emër të LDK-së parimet dhe modalitetet për një bashkëpunim të mundshëm politik, me qëllim krijimin e stabilitetit institucional.
Haziri ka rikujtuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike të partisë në periudhën e ardhshme.
“Çfarëdo kërkese politike do të trajtohet brenda strukturave legale të LDK-së”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “askush nuk është mbi Republikën”.
Reagimi i Hazirit vjen pas deklaratave të tij paraprake për mundësinë që emrat e Abdixhikut ose Hazirit të mund të siguronin më shumë unitet brenda grupit parlamentar të LDK-së për çështjen e Presidencës.
