Abdixhiku kërkon durim nga anëtarësia e LDK-së: “Të mirat vijnë pastaj”

23.06.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda partisë, duke falënderuar strukturat dhe aktivistët për mbështetjen e dhënë.

Përmes një mesazhi publik, Abdixhiku ka thënë se mbështetja nga kryetarët e degëve, nëndegëve dhe veprimtarët e LDK-së është një dëshmi e përkushtimit ndaj misionit të partisë.

“”Në jetë duhet pasur vullnet dhe durim; të mirat vijnë pastaj!”, ka shkruar Abdixhiku, duke bërë thirrje për qetësi dhe durim në këtë periudhë.

Ai ka pranuar se anëtarësia e LDK-së është e shqetësuar, por ka theksuar se sfidat janë momente që provojnë karakterin dhe qëndrueshmërinë e një partie.

“Ka momente kur padrejtësia duket më e madhe se mundi ynë; por janë pikërisht ato momente që e provojnë karakterin tonë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Reagimi i tij vjen pas kërkesave të disa degëve të LDK-së për reflektim politik dhe marrje përgjegjësie pas rezultateve zgjedhore.