Media zvicerane: Prishtina po përjeton bum ndërtimesh, çmimet e banesave janë dyfishuar në 10 vjet

20.06.2026

Prishtina po përjeton një valë të fuqishme ndërtimesh, ndërsa kërkesa për banesa vazhdon të rritet, shkruan media zvicerane SRF.

Sipas raportimit, dëshira e lartë për pronësi, migrimi i brendshëm drejt kryeqytetit dhe investimet e diasporës po nxisin zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Çmimet e banesave në Prishtinë janë dyfishuar gjatë periudhës 2014-2024, ndërsa në lagjet e reja metri katror po arrin deri në 1,850 euro dhe pritet të shtrenjtohet edhe më tej. Një pjesë e konsiderueshme e banesave blihet nga diaspora shqiptare në Zvicër dhe Gjermani, të cilat shihen si investim afatgjatë.

Megjithatë, rritja e shpejtë urbane po shoqërohet me sfida infrastrukturore, veçanërisht me trafikun e rënduar.

Arkitektët vlerësojnë se projektet e reja urbanistike, përfshirë zhvillimin e zonës “Prishtina e Re”, synojnë të krijojnë një kryeqytet më të organizuar dhe më funksional për vitet e ardhshme.