Gjykata në Prizren cakton paraburgim ndaj një të mituri për “vrasje të rëndë”

15.06.2026

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj një të mituri, i dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Sipas vendimit të gjyqtares së procedurës paraprake, masa e paraburgimit ndaj të miturit A.O. do të zgjasë deri më 14 korrik 2026. Gjykata thekson se vendimi është marrë pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Në arsyetimin e saj, gjykata ka vlerësuar se ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit në këtë fazë të procedurës, me qëllim sigurimin e zhvillimit të papenguar të hetimeve dhe garantimin e prezencës së të miturit në procedurë.

Ndërkohë, gjykata ka njoftuar se gjatë ditës ka pranuar edhe kërkesa për paraburgim ndaj dy të dyshuarve të tjerë lidhur me të njëjtin rast. Njëri prej tyre dyshohet për “vrasje të rëndë në bashkëkryerje”, ndërsa tjetra për “shtytje në vrasje të rëndë”.

Seanca për shqyrtimin e këtyre kërkesave pritet të caktohet brenda afateve ligjore.