Tragjedi në Suharekë: 33-vjeçari humb jetën pasi ra nga pema e qershisë

12.06.2026

Një 33-vjeçar ka ndërruar jetë në Suharekë pas një aksidenti të rëndë që ndodhi mbrëmjen e së enjtes, kur ai ra nga një pemë qershie në fshatin Leshan.

Sipas Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, viktima, me inicialet F.B., ishte duke u ngjitur në pemë kur ka rënë nga një lartësi prej rreth 5–6 metrash.

Fillimisht ai është transportuar me autoambulancë nga shtëpia e tij drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit, ndërsa më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim më të specializuar.

Megjithatë, rreth orës 21:15 mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore së bashku me prokurorin e shtetit, ndërsa rasti është hapur si “Hetim i vdekjes”.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.