ZPS: Pretendime për ndalime, keqtrajtime dhe vrasje në Budakovë, Semetishtë dhe Jeshkovë

11.06.2026

Në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), paraqiten pretendime për krime të rënda të ndodhura gjatë vitit 1998 në Budakovë, Semetishtë dhe Jeshkovë, zona që lidhen me veprimtarinë e strukturave lokale të UÇK-së sipas aktakuzës.

Sipas Prokurorisë, në Budakovë dyshohet se janë përdorur disa vende ndalimi, përfshirë edhe një shtëpi private pranë një baze ushtarake. Aty pretendohet se civilë janë mbajtur të mbyllur, të pa lëvizur dhe nën roje të anëtarëve të UÇK-së.

Në disa raste, atyre u janë marrë para dhe sende personale që nuk janë kthyer më.ZPS pretendon se të ndaluarit janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht, duke përfshirë rrahje, kërcënime dhe trajtim çnjerëzor.

Në dokument përmendet edhe mungesa e strukturave procedurale për mbrojtjen e të ndaluarve, sipas interpretimit të një dëshmitari të identifikuar me kod.Një nga rastet më të rënda lidhet me dy gra, Rrushe dhe Latife Kololli.

Sipas Prokurorisë, ato fillimisht u arrestuan dhe u mbajtën në Budakovë, më pas u transferuan në Semetishtë dhe iu dorëzuan personave të tjerë. Pak ditë më vonë, trupat e tyre u gjetën me plagë nga armë zjarri dhe me duar të lidhura. Njëra prej tyre është identifikuar përmes analizës së ADN-së, ndërsa trupi i tjetrës nuk është identifikuar plotësisht.

Prokuroria pretendon se në këto ngjarje janë të përfshirë anëtarë të ndryshëm të Policisë Ushtarake dhe strukturave të inteligjencës brenda formacioneve të UÇK-së në atë zonë, duke përmendur një listë emrash dhe pozicionesh komanduese.

Sipas dosjes, disa prej personave të përmendur më vonë janë ngritur në detyra brenda strukturave ushtarake.Në Jeshkovë, ZPS thotë se gjatë verës së vitit 1998 është formuar një shtab lokal i UÇK-së, i cili më vonë është zhvilluar në një brigadë me dy batalione.

Pretendohet se në këtë zonë kanë funksionuar njësi të ndryshme të policisë ushtarake, inteligjencës dhe logjistikës, të shpërndara në disa fshatra të Vrrinit.Sipas Prokurorisë, në këtë zonë janë raportuar edhe raste ndalimesh dhe keqtrajtimesh të civilëve, përfshirë goditje fizike dhe abuzim gjatë shoqërimit. Në një rast, një i ndaluar thuhet se ka humbur vetëdijen pas goditjeve në kokë.

Po ashtu, përmendet edhe gjetja e trupit të pajetë të një personi të raportuar si i zhdukur më parë.ZPS thekson se disa persona të ndaluar janë mbajtur pa garanci ligjore dhe janë trajtuar në mënyrë të rëndë, ndërsa pretendon se nuk janë ndërmarrë hetime apo masa disiplinore për këto raste në atë kohë.Në dosje përmendet gjithashtu se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të shtabit të përgjithshëm kanë pasur njohuri për këto zona dhe kanë kryer vizita atje gjatë periudhës së konfliktit.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria kërkon dënime të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa mbrojtja i ka kundërshtuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar të pabazuara./Betimi për Drejtësi/