MINTI gjobit KEDS me 110 mijë euro për parregullsi në njehsorët elektrikë

02.06.2026

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar një gjobë prej 110 mijë euro ndaj KEDS, pas verifikimeve të realizuara në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Metrologjisë, gjatë kontrolleve janë identifikuar 18 njehsorë me afat të skaduar, 2 me miratim tipi të tërhequr dhe 30 me devijime në datë dhe orë. Këto gjetje kanë çuar në masën ndëshkuese nga Inspektorati Qendror i Tregut.

MINTI ka bërë të ditur se raportet zyrtare i janë dorëzuar KEDS-it për trajtimin e rasteve dhe kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar. Ndërkohë, procesi i verifikimit të njehsorëve pritet të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, pasi janë duke u shqyrtuar ankesa të shumta nga qytetarët.

Ky nuk është rasti i parë i gjobave ndaj operatorit, pasi edhe në muajt paraprak janë shqiptuar masa të tjera financiare për parregullsi të ngjashme në sistemin e matjes së energjisë elektrike.