Irani ndërpret kontaktet me SHBA-në dhe kërcënon me bllokimin e Hormuzit
Irani ka ndërprerë komunikimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e lidhur këtë vendim me sulmet e fundit izraelite në Liban.
Mediat iraniane raportojnë se Teherani nuk do të vazhdojë dialogun me Uashingtonin derisa të ndalet ofensiva izraelite dhe të plotësohen kërkesat e Iranit dhe Hezbollahut.Sipas agjencisë iraniane Tasnim, autoritetet iraniane po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.
Raportet flasin edhe për rrezikun e kufizimit të lundrimit në ngushticën Bab al-Mandeb, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e tregtisë ndërkombëtare.Zhvillimet vijnë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi sulme të reja në Bejrut, duke deklaruar se ato janë përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Hezbollahu.
Përshkallëzimi i tensioneve ka shtuar shqetësimet për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe për ndikimin e mundshëm në tregjet globale të energjisë.
