Abdixhiku nga Suhareka: Premton ministra “në terren”, por shmang bilancin dhe planin konkret
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi elektoral në Suharekë, ka deklaruar se ministrat e ardhshëm të partisë së tij nuk do të qëndrojnë “në Facebook e në kafe”, por do të jenë të angazhuar në terren nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Megjithatë, deklarata e Abdixhikut u fokusua më shumë në kritikat ndaj qeverisjes aktuale sesa në prezantimin e afateve, kostove apo mënyrës së realizimit të projekteve që ai premtoi se do të përfundohen “në kohë rekord”.
Abdixhiku tha se shumë projekte janë premtuar prej vitesh pa u realizuar, por nuk specifikoi se cilat janë prioritetet kryesore për Suharekën dhe Kosovën, as se si do të sigurohet financimi i tyre.Në fjalimin e tij ai prezantoi edhe kandidatët e LDK-së për deputetë nga Suhareka, duke kërkuar mbështetje për zgjedhjet e 7 qershorit.
Deklarata për ministrat që “nuk do të rrinë në Facebook e kafe” pritet të ngjallë reagime politike, pasi shihet si një sulm ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa debati publik mbetet i fokusuar te programet konkrete dhe zgjidhjet për sfidat ekonomike e sociale të vendit.
