Pacolli: Nis ndryshimi i ligjit për Parqet Kombëtare
Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka nënshkruar sot vendimin për inicimin e plotësim-ndryshimit të legjislacionit për Parqet Kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”
Ky rishikim ligjor synon të krijojë një balancë të drejtë mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke ridefinuar statusin e zonave të banimit në këto parqe. Sipas njoftimit të ministres Pacolli, procesi do t’u përshtatet plotësisht specifikave të tri rajoneve: Rugovës, Lugut të Butë dhe Deçanit.
Synimi kryesor i këtyre ndryshimeve është garantimi i një jete të dinjitetshme për banorët lokalë, si dhe ruajtja e traditave, kulturës, historisë dhe natyrës së këtyre zonave.Ministrja Pacolli ka garantuar se ky proces do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.
Gjatë fazave të rishikimit, Ministria do të organizojë dëgjime publike dhe konsultime të ngushta me banorët lokalë të Rugovës, Lugut të Butë dhe Deçanit, për të siguruar që kërkesat dhe nevojat e tyre të trajtohen me prioritet.
