“Strukturë me militantë besnikë” – Hasani kritikon planin e Kurtit për xhandarmërinë

23.05.2026

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, njëherësh ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar iniciativën e kryeministrit Albin Kurti për krijimin e xhandarmërisë në Kosovë, duke e lidhur atë me kalkulime politike dhe zgjedhore.

Hasani tha se përdorimi i termit “xhandarmëri” synon të komunikojë me një pjesë të elektoratit që e sheh këtë strukturë si instrument për luftimin e korrupsionit dhe “gardës së vjetër politike”.

Sipas tij, arsyeja e dytë lidhet me mungesën e kontrollit të plotë të Kurtit mbi institucionet ekzistuese të sigurisë.

“Kurti nuk ka kontroll të plotë mbi FSK-në për shkak të rolit të madh të miqve ndërkombëtarë, ndërsa Policinë e Kosovës e sheh si jo plotësisht të besueshme dhe të lidhur me qeveritë e kaluara. Për këtë arsye, ai synon të krijojë një strukturë të re nga e para, të mbushur me militantë dhe njerëz personalisht lojalë ndaj tij”, deklaroi Hasani për Express.

Deklaratat e tij vijnë pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi formimin e një grupi punues për krijimin e mekanizmit të ri të sigurisë, një ditë pas paralajmërimit të bërë nga Kurti.