Studentët shqiptarë sërish në protestë: Jurisprudenca të mbahet edhe në shqip

13.05.2026

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protestë për më 18 maj në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Kjo do të jetë protesta e dytë me radhë e studentëve, të cilët po kërkojnë trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave gjuhësore në sistemin arsimor dhe juridik të vendit.

Ndaj paralajmërimit për protestë ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili u bëri thirrje studentëve për durim, duke thënë se shumë shpejt do të propozohet një zgjidhje për këtë çështje.

“Jam i bindur që shumë shpejt do të dalim me propozim për zgjidhjen e problemit. Propozimi do të jetë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardeve ndërkombëtare”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se ekzistojnë forca politike që, sipas tij, synojnë të krijojnë tensione dhe protesta në vend, duke theksuar se kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se 20 vjet.