PDK-ja refuzon rikthimin e Fatmir Limajt në parti, Hamza konfirmon vendimin e Kryesisë
Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar rikthimin e Fatmir Limaj në parti dhe përfshirjen e tij në listën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Vendimi është konfirmuar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë të mbajtur të hënën.
Limaj, javën e kaluar, i kishte dërguar një letër Hamzës ku kishte shprehur gatishmërinë për rikthim dhe bashkëpunim politik me PDK-në.
Ai kishte paralajmëruar se në rast se nuk pranohej në listën zgjedhore të partisë, nuk do të garonte në zgjedhjet e 7 qershorit.Në letrën e tij, Limaj kishte theksuar se synimi i tij ishte krijimi i një alternative të fuqishme politike dhe bashkimi i faktorëve politikë në funksion të përfaqësimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Pas vendimit të Kryesisë së PDK-së, mbetet e paqartë se cili do të jetë hapi i radhës politik i Limajt në prag të zgjedhjeve parlamentare.
