PSG në finalen e Budapestit: Parisi mbron avantazhin dhe eliminon Bayernin

06.05.2026

Parisi është në festë pasi Paris Saint-Germain ka siguruar zyrtarisht vendin në finalen e madhe të UEFA Champions League.

Skuadra e Luis Enrique arriti një barazim jetik 1-1 në transfertën e vështirë të Mynihut kundër Bayernit, duke administruar me sukses fitoren e çmendur të ndeshjes së parë.

Me rezultatin e përgjithshëm 6-5, kampionët francezë kalojnë tutje, duke mbajtur gjallë ëndrrën për mbrojtjen e titullit kampion.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për miqtë, kur Ousmane Dembélé tundi rrjetën që në minutën e 3-të, pas një asisti inteligjent nga Kvaratskhelia.

Ky gol i hershëm goditi moralin e bavarezëve dhe i dha PSG-së qetësinë e nevojshme për të kontrolluar lojën.

Megjithëse Bayern Munich insistoi gjatë gjithë takimit dhe gjeti barazimin vetëm në minutat e fundit përmes Harry Kane, kjo nuk mjaftoi për të përmbysur fatet e kualifikimit.

Tashmë, vëmendja e të gjithë botës së futbollit zhvendoset drejt Budapestit, ku më 30 maj do të luhet finalja e madhe në “Puskás Aréna”.

PSG do të përballet me Arsenalin në një sfidë që premton spektakël, ku parizienët kërkojnë të shkruajnë historinë si një nga skuadrat e pakta që arrijnë të fitojnë trofeun e prestigjshëm dy herë radhazi