Gjashtë nxënës nga Suhareka në finalen botërore të matematikës në Frankfurt
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se ekipi i matematikës nga kjo komunë është nisur drejt Frankfurtit të Gjermanisë për të marrë pjesë në finalen e Olimpiadës Botërore të Matematikës.
Sipas tij, gjashtë nxënës nga Suhareka arritën të kualifikohen pas një gare të fortë me mbi 26 mijë pjesëmarrës nga 173 shtete, duke u renditur në 20% më të mirët në nivel global.
Ekipi udhëhiqet nga koordinatori për Kosovë, prof. Emin Hoxha.Muharremaj theksoi se kjo është një arritje e madhe për komunën dhe një dëshmi e potencialit të të rinjve në arsim, duke shtuar se institucionet lokale do të vazhdojnë mbështetjen për nxënësit në gara ndërkombëtare.
Ai u ka uruar suksese nxënësve në këtë sfidë të rëndësishme, duke shprehur besimin se do të kthehen me rezultate që do ta bëjnë krenare Suharekën dhe Kosovën.
