Nxënësit e Suharekës synojnë majat në Olimpiadën e Gjuhës Shqipe
Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Suharekë ka organizuar me sukses fazën e dytë të garës “Olimpiada e përbashkët e gjuhës shqipe për klasën e 9-të”, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për vitin shkollor 2025–2026.
Në këtë fazë morën pjesë nxënësit që kishin kaluar testimin paraprak, ndërsa procesi u zhvillua nën mbikëqyrjen e komisioneve të formuara për hartimin dhe vlerësimin e testeve.
Nxënësit më të suksesshëm do të avancojnë në garën në nivel republikan, nga ku do të përzgjidhen përfaqësuesit e Kosovës për garat e përbashkëta me Shqipërinë.
Drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bajselmani, e vlerësoi këtë aktivitet si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin akademik të nxënësve dhe nxitjen e një fryme konkurruese të shëndetshme.
Ai uroi pjesëmarrësit për sukses dhe i inkurajoi të vazhdojnë me përkushtim në fazat e ardhshme të garës.
