Opozita kundër ligjit për çmimet tavan, kritika për kompetencat e Qeverisë

23.04.2026

Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të destabilizimit në treg nuk ka arritur të marrë përkrahjen e opozitës gjatë shqyrtimit të dytë në Kuvend.

Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kundërshtoi fuqishëm këtë nismë, duke theksuar se nuk duhet t’i jepet një partie apo institucioni i vetëm autoriteti për përcaktimin e çmimeve në treg.

Sipas tij, një qasje e tillë rrezikon ndërhyrjen e tepërt në ekonominë e lirë.Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, deklaroi se subjekti i saj politik e mbështet në parim ligjin, por jo mënyrën se si është hartuar ai, duke kërkuar përmirësime në strukturë dhe qartësi më të madhe në zbatim.

Kritika të ngjashme shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili vlerësoi se projektligji përqendron vendimmarrjen tek Qeveria dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke kufizuar rolin e mekanizmave të tjerë mbikëqyrës.

Debati rreth këtij projektligji pritet të vazhdojë, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë ndryshime që do të siguronin konsensus më të gjerë politik.