Punëtorët e Ekoregjionit paralajmërojnë grevë nga 1 maji, kërkohet tarifa 7.5€

18.04.2026

Punëtorët e kompanisë “Ekoregjioni” pritet të hyjnë në grevë nga data 1 maj, nëse nuk merret vendim për rritjen e tarifës së shërbimeve në 7.5 euro. Ky informacion vjen nga burime brenda ndërmarrjes.

Sipas këtyre burimeve, pakënaqësia e punëtorëve lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e rënduar financiare të kompanisë dhe pamundësinë për të përballuar shpenzimet me tarifën aktuale prej 6 euro.

Kompania kishte paralajmëruar edhe më herët për vështirësi serioze financiare, duke theksuar se niveli aktual i tarifës nuk mbulon kostot operative.

Nëse nuk ka reagim nga Asambleja Komunale, greva e paralajmëruar mund të çojë në ndërprerje të shërbimeve të grumbullimit të mbeturinave.

Punëtorët kërkojnë që vendimi për rritjen e tarifës të merret sa më shpejt, në të kundërtën, veprimet sindikale do të vazhdojnë sipas paralajmërimit.