Duhël: Ujërat e zeza në rrugë, asambleistja Jehona Rrafshi-Lumi kërkon ndërhyrje urgjente

16.04.2026

Një situatë shqetësuese është raportuar në fshatin Duhel të Suharekës, ku ujërat e zeza po kalojnë nëpër rrugën kryesore që lidh këtë fshat me Bllacën, duke rrezikuar shëndetin e banorëve.

Përmes një reagimi publik, asambleistja e Komunës së Suharekës nga radhët e NISMA-s, Jehona Rrafshi-Lumi, ka ngritur alarmin për gjendjen e krijuar, duke theksuar se ndotja e ajrit është e theksuar dhe ekziston rrezik real për përhapjen e ndonjë epidemie.

Sipas saj, qytetarët kanë bërë edhe kërkesë zyrtare në Kuvendin Komunal, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për zgjidhjen e problemit.

Rrafshi-Lumi u ka bërë thirrje institucioneve kompetente, në veçanti Kuvendit Komunal të Suharekës, që të ndërhyjnë urgjentisht për sanimin e kësaj gjendjeje, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së banorëve.