Bayern dhe Arsenal kërkojnë të vulosin kualifikimin sonte
Pas kualifikimit mbresëlënës të PSG-së, që eliminoi Liverpool-in me një rezultat të përgjithshëm 4-0, dhe suksesit të Atlético Madrid që mbajti qëndresën ndaj Barcelonës, sot vëmendja zhvendoset te dy sfidat e mbetura.
Emocionet e Champions League arrijnë kulmin teksa mësohet se cilat skuadra do t’u bashkohen francezëve dhe spanjollëve në fazën gjysmëfinale, ku luhet për fatet e gjithë sezonit evropian.
Në Mynih, “Allianz Arena” do të jetë dëshmitare e një përballjeje titanësh mes Bayern Munich dhe Real Madrid.
Gjermanët nisin ndeshjen me moralin lart pas fitores 2-1 në Madrid, një rezultat që u jep atyre një avantazh të rëndësishëm, por aspak të sigurt.
“Mbretërit” spanjollë udhëtojnë drejt Gjermanisë me objektivin e vetëm: përmbysjen. Real Madrid ka treguar historikisht se nuk dorëzohet kurrë në këtë kompeticion, duke e bërë këtë sfidë më të paparashikueshmen e mbrëmjes.
Paralelisht, në Londër, Arsenali pret Sportingun e Lisbonës në një ndeshje ku gabimi më i vogël kushton shtrenjtë.
“Topçinjtë” e nisën mbarë duke fituar 1-0 në ndeshjen e parë, rezultat që u jep mundësinë ta menaxhojnë lojën me qetësi përpara publikut të tyre.
Megjithatë, Sporting CP ka treguar se mund të jetë një kundërshtar tepër i vështirë dhe do të kërkojë të shfrytëzojë çdo hapësirë për të befasuar anglezët dhe për të siguruar një vend në katërshen më të mirë.
Në fund të kësaj mbrëmjeje, mozaiku i gjysmëfinaleve do të jetë i plotë. Skuadra që fiton në Mynih do të gjejë përballë PSG-në e pamëshirshme, ndërsa fituesi i duelit Arsenal-Sporting do të sfidojë “murin” e Diego Simeone-s, Atlético Madrid.
Spektakli është i garantuar, pasi katër skuadra do të luftojnë për vetëm dy vende të mbetura në rrugën drejt trofeut më të lakmuar në botë.
