Bayerni “pushton” Madridin: Kane dhe Diaz gjunjëzojnë Realin në shtëpi
Bayern Munich ka hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinales së UEFA Champions League, duke mposhtur Real Madridin me rezultatin 1-2 në një ndeshje dramatike në “Santiago Bernabeu”.
Nën drejtimin e Vincent Kompany, bavarezët treguan një formë të jashtëzakonshme. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e miqve falë një goli të Luis Diaz në minutën e 41-të, pas një asistimi brilant nga Gnabry.
Sapo nisi pjesa e dytë (minuta e 46-të), Harry Kane heshti stadiumin duke shënuar golin e dytë, i cili ishte i pari për të në këtë impiant legjendar.
Real Madridi i Alvaro Arbeloas u mundua të reagonte dhe gjeti shpresën në minutën e 74-t, kur Kylian Mbappé shënoi pas një pasimi fantastik nga Trent Alexander-Arnold.
Pavarësisht presioneve të fundit, mbrojtja e Bayernit rezistoi, duke marrë një fitore të madhe përpara ndeshjes së kthimit në Mynih.
