Drejtori i “Ekoregjionit” reagon: Ndërpriten shërbimet në Suharekë për shkak të pagave të papaguara

02.04.2026

Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Ekoregjioni”, Burim Shala, ka reaguar publikisht lidhur me ndërprerjen e shërbimeve të grumbullimit të mbeturinave në Suharekë, duke sqaruar arsyet e kësaj situate.

Sipas tij, kompania është detyruar të ndalë përkohësisht operimin pasi punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre, si pasojë e mungesës së mjeteve financiare.

Ai theksoi se kjo gjendje ka ardhur për shkak të mosaprovimit të rritjes së tarifës së mbeturinave nga Kuvendi Komunal i Suharekës.

Shala bëri të ditur se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, përfshirë edhe shqyrtimin e kësaj çështjeje në katër raste, nuk është arritur miratimi i tarifës së re.

Ndërkohë, vetëm gjatë periudhës janar–mars, sipas tij, Komuna e Suharekës ka krijuar një borxh prej rreth 53,000 euro ndaj kompanisë.

Ai e cilësoi si të papranueshme propozimin për tarifë prej 6 eurosh nga komisioni komunal, duke theksuar se një shumë e tillë nuk garanton funksionim normal dhe nuk siguron pagesat e punëtorëve as në muajt në vijim.

Sipas deklaratës së tij, zgjidhja e vetme mbetet aprovimi urgjent i tarifës së propozuar nga kompania, e cila është përllogaritur nga ekspertë profesionalë mbi baza reale dhe të qëndrueshme.

Në të kundërtën, paralajmërohet se kompania nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë ofrimin e shërbimeve, ndërsa përgjegjësia për situatën, sipas Shalës, bie mbi Kuvendin Komunal të Suharekës.

KRM “Ekoregjioni” funksionon mbi bazën e vetëfinancimit dhe burimi i vetëm i të hyrave mbetet tarifa e mbeturinave, e cila aktualisht konsiderohet e pamjaftueshme për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve.