Punëtorët e EKO-Regjionit demantojnë deklaratën e Bali Muharremaj: Greva për paga të papaguara, jo vetëm për rritje

01.04.2026

Greva e punëtorëve të EKO-Regjionit në Komunën e Suharekës nuk lidhet vetëm me kërkesën për rritje të pagave, siç është paraqitur në deklaratën publike të kryetarit Bali Muharremaj.

Burime direkte nga punëtorët bëjnë të ditur se arsyeja kryesore e grevës është mos ekzekutimi i pagave, një problem serioz që prek drejtpërdrejt mirëqenien e tyre dhe familjeve të tyre.

Sipas tyre, përveç vonesave në paga, ekziston edhe pakënaqësi për nivelin e ulët të kompensimit, por theksi kryesor mbetet te pagesat e pa realizuara, e jo vetëm te kërkesa për rritje të tarifave apo pagave.

Kjo bie në kundërshtim me narrativën e paraqitur në reagimin publik, ku theksi vihet te mosmiratimi i rritjes së tarifës në Asamblenë Komunale si shkak kryesor i situatës.

Punëtorët kërkojnë:

  1. Ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të prapambetura
  2. Trajtim dinjitoz dhe siguri financiare
  3. Zgjidhje konkrete, jo vetëm diskutime politike.

Ndërkohë, gjendja në terren po rëndohet çdo ditë, me rritjen e mbeturinave në qytet, duke reflektuar drejtpërdrejt pasojat e moszgjidhjes së këtij problemi.